20.1.10

Qendër Alternative

Përgjigje ndaj shkrimit të Fatos Lubonjës Përgjigje një lexuesi


I dashur Z. Lubonja,

ju falenderoj për përgjigjen dhe vëmendjen ndaj komentit që kisha shkruar tek artikulli juaj i mëparshem "Punë batakçinjsh".

Tek kjo përgjigje ju keni prekur shumë pika të rëndësishme. Më lejoni ti shtjelloj pak më thellë disa mendime për një pjesë të atyre pikave që i kisha shkruar edhe tek komenti i mëparshëm.

Së pari, mendoj se denoncimet kanë vlerën e vet, aq me tepër kur janë elokuente e me një llogjike solide si ato që shkruani ju, pasi ato bien në kontrast të fortë me denoncimet e përjavshme dhe kryesisht të rreme që degjojmë nga dy palët kryesore politike. Si të tilla denoncimet tuaja nuk janë njëlloj me denoncimet që prodhohen rregullisht nga pjesa më e mirë e mediave tiranase që kanë për synim vetëm lavazhin gjeneral të trurit për publikun. Kërkoj të falur që në zellin përgjithësues të komentit tim denoncimet tuaja i futa padashje në të njëjtën kategori.

Mua, dhe besoj edhe jo pak njerezve te tjerë, më vjen megjithatë keq që penat e rralla cilësore në Tiranë të harxhojnë aq energji e kohë me denoncime, sado cilësore qofshin ato. Mbase një pjesë sado të vogël të kohës dhe energjisë suaj mund t'ia dedikoni dhe gjetjes e formulimit të zgjidhjeve pikërisht mu pse ato janë aq komplekse dhe të vështira për terrenin specifik shqiptar.

Askush nuk kërkon nga ju dhe njerëz si ju që të dilni me flamur në dorë apo të jeni aktivistë direkt. Njeriu fundja ka të drejtën e plotë të bëjë atë që di më mirë. Për më tepër, si ajo çfarë ju bëni aktualisht, si puna juaj e mëparshme është jashtëzakonisht e vlefshme dhe të jeni të sigurtë që gëzoni respekt intelektual të thellë mes shumë të rinjve ndër të tjerash dhe atë timin. Megjithatë besoj se është më konstruktive që mendimet dhe njohuritë që keni për realitetin e shoqerinë shqiptare ti hidhni në një seri esesh ku të përqëndroheni pikërisht tek zgjidhjet apo kombinimi i zgjidhjeve që ju mendoni si më të përshtatshmet. Mbase mund ti përmblidhni këto shkrime në një libërth të vogël apo/edhe ti publikoni rregullisht nëpër gazeta në intervale të caktuara duke i dhënë në këtë mënyrë prominencën e merituar. Kjo, pasi është pikërisht formulimi i zgjidhjeve konkrete e të prekshme ajo që mungon më tepër në diskutimet publike në Tiranë, përtej thënieve të përgjithshme si "shteti i së drejtës" apo "forcimi i institucioneve/gjykatave" etj.

Kur flisja për alternativa nuk kisha shumë parasysh alternativat revolucionare që do të ishin gati të përmbysnin nëpërmjet dhunës direkte apo indirekte palët ekzistuese. Shumë më tepër kisha parasysh ato grupe të vogla e kompakte që funksionojnë në bazë të një kodi të caktuar vlerash dhe që e ushtrojnë pushtetin ndër të tjerash apo kryesisht nëpërmjet shembullit/modelit dhe që fuqinë e brendshme e gjenerojnë nga kompaktësia dhe organizimi që kanë.

Natyrisht që do të isha naiv po të mendoja se zgjidhja me "Z" të madhe do të ishte vetëm një e vetme. Shumë më tepër, si tek çdo problem kompleks, "Zgjidhja" gjendet tek një kombinim kompleks metodash e proçesesh, pra tek një kombinim "zgjidhjesh". Konkretisht edhe unë mendoj se një kombinim i alternativave të reja dhe i evoluimit të brendshëm të grupeve kryesore politike shqiptare është opsioni më i mundshëm dhe konstruktiv për përmirësim të qëndrueshëm e afatgjatë.

Pikërisht si pjesë e këtij kombinimi zgjidhjesh potenciale duhet parë dhe ideja e zhvillimit të një alternative ndaj Tiranës si qendër. Mbase fillimisht vetëm në aspektin kulturor pasi nuk është normale që përtej Tiranës qytetet e tjera të jenë shndërruar në vitet e fundit në shkretëtira kulturore.

Vetë Tiranës, kjo alternative do ti shërbente jo aq duke i ushtruar direkt ndonjë pushtet, d.m.th. nëpërmjet "zaptimit" por indirekt, nëpërmjet forcës së shembullit, nëpërmjet modelit, nëpërmjet asaj që e quajnë "pushtet i butë" i cili sipas shumë gjasave mund të katalizojë dhe vërë në lëvizje dinamika të brendshme të fuqishme deri më tani letargjike dhe pa kockë.

Modelet perëndimore fatkeqësisht janë akoma shumë të largëta për shqiptarin e thjeshtë që nuk ka udhëtuar ndonjëhere përtej kufijve. Këto modele edhe janë manipuluar zhdërvjelltësisht nga elitat aktuale qoftë nga qëllimi dashakeqës qoftë nga injoranca e mosnjohja e tyre. Thjesht të kujtojmë ajo çfarë kuptohet me "Tregun e lirë", apo të kujtojmë shembullin akoma më bajat, BE-në dorën vetë dhe anëtarësimin mitik në të apo të ngjashme. Poashtu, kush ka parë tjetër qytet nuk mund ti thotë Tiranës "metropol" paçka se Tirana akoma sot, pas katrahurës së ndërtimeve të këtyre njëzet vjetëve, e ka ruajtur një pjesë të vogël të hijeshisë gjithsesi provinciale që ka patur më parë. Vetë suksesi fillestar i Edi Ramës në rang kombëtar u zhvillua pikërisht si rezultat i "modelit" Tiranë që arriti të krijonte në kokat e njerëzve nëpërmjet reformave ku nuk mund ti mohohen disa merita si dhe iluzioneve optike mediatike që binin shumë në sy pas shkretëtirës se 97-tës. Pushteti i tij (Edi Ramës) tek njerëzit e theshtë akoma sot mendoj se i detyrohet shumë rrënojave të atij modeli që ngriti gati dhjetë vjet më parë mbase dhe me idealizëm. Unë mendoj se një model i afërt dhe i prekshëm për shqiptarët, sado i vogël qoftë, ka rrezatim më të madh se çdo lloj zaptimi.

Përse mendoj se zhvillimi gradual i një qyteti tjetër është më i përshtatshëm sesa një grup brenda Tiranës? Kjo është e thjeshtë. Dhe mund të arsyetohet bile me një llogjikë të thjeshtë statistikore. Në Tiranë mund të ketë me qindra kësi grupesh pikërisht sepse Tirana është e madhe. Këto grupe konkurojnë me ose pa dashje me njëra tjetrën për të njëjtën hapësire publike, d.m.th. për çikërrimat që ju lënë partitë apo grupet e mëdha politike e mediatike. Në Tiranë kultura mbizotëruese është bërë tashmë ajo e korrupsionit, e kitshit materialist fshatar, e pandëshkueshmërisë, fodullëkut e horrllëkut dhe duhen shumë energji e burime për ta kthyer këtë kulturë mbrapsht thjesht nëpërmjet dinamikave të brendshme, pikërisht sepse Tirana është e madhe dhe pse është një vend ku ndërthuren shumë interesa.

Në një qytet tjetër, që të jem më konkret, po themi në Vlorë, Korçë apo Shkodër grupe të vogla me potencial dallojnë menjëherë pa ju dashur të bëjnë kompromise të mëdha për tu ekspozuar ndaj publikut lokal. Perveç kësaj ato nuk luftojnë për një pjesë të vogël të vëmendjes lokale por për një pjesë të madhe. Ato janë më të qeta në periudhën e inkubimit dhe rrjedhimisht më autentike kur lulëzojnë.

Mund t'ju kujtoj se qytete alternativa që konkurojnë e shërbejnë si model ndaj qëndrave më të mëdha metropolitane duke i influencuar ato pozitivisht pa patur nevojë ti zaptojnë ekzistojnë me shumicë në Perëndimin mitik. Fjala vjen po përmend tandemin dhe shkëmbimet komplekse e shumëdimensionale të San Franciskos me një apo disa qytete të bregut lindor Amerikan (New York, Washington) dhe rëndësinë që ka patur ky qytet i vogël në lëvizjet rinore të viteve 68-70 thjesht për t'ju dhënë një shembull fare banal. Analogji e ngjashme me këtë të qyteteve eshte ai i organizimit nga aktorë të njohur si Robert Redford të një festivali kinematografik alternativ në Sundance ndaj organizimeve të studiove të mëdha kinematografike që dominonin kinematografinë amerikane. Sot mbas gati 30 vjetësh Sundance është i madh nga rrezatimi dhe influenca që ka edhe tek studiot globale.

Largësia territoriale dhe krijimi i një modeli shumë të dukshëm mendoj se duhet filluar gradualisht nëpërmjet përqëndrimit të një grupi intelektualësh në universitete të caktuara larg dorës korruptuese të Tiranës dhe elitave të saj. Universitetet janë vendet më të përshtatshme për zhvillimin e grupeve alternative pasi janë njëkohësisht multiplikatorë dhe vatra mendimi. Mbase mund të shkoni vetë apo mund ti mbushni mendjen të njohurve tuaj të japin leksione të rregullta në universitete në Vlorë apo Shkodër, të merrni pjesë tek debatet e televizioneve lokale të këtyre qyteteve dhe të ndihmoni organizimin e takimeve intelektualësh peshërëndë në këto qytete sikur edhe vetëm për ti dhënë një shuplakë Tiranës prepotente dhe tashmë trutharë. Të mbështesni çdo përpjekje të universiteteve të rretheve ti shkëputen dorës së rëndë të qendrës në Tiranë.

Çdo qytet shqiptar do të ishte i interesuar e mirënjohës për të thithur kulturë e mendim cilësor, për tu zhvilluar në rivale e njëkohësisht në një model për vetë Tiranën. Pasi çdo gjë është më mirë sesa shkretëtira që lë pas përqëndrimi i gjithshkaje në Tiranë. Rivaliteti ndërmjet Tiranës dhe një qyteti tjetër ka shumë të mira.

Sigurisht, zhvillimi gradual i një qyteti në aspektin kulturor e mediatik nuk është fjalë goje dhe kërkon dhjetëra vjet, mund dhe burime. Dhe deri tani pak nuk kemi pritur. Por, a nuk jemi prej njëzet vitesh në këtë tranzicion që nuk po do të përfundojë dhe a mund të themi se sot e ardhmja duket realisht më mirë, më këtë organizim parapolitik e gjysëm kriminal të elitës tonë që tashmë është duke u konsoliduar në krahasim me ç'na dukej e ardhmja në vitet 90-91, ku brenda kampit antikomunist kishte të paktën një lloj larmie e përzier me naivitet? Mendoj se jo. Mendoj bile se është pritur shumë gjatë për ta vënë në pikëpyetje Tiranën si qendër të padiskutueshme mendimi, si qendër mediatike e intelektuale.

Për të gjitha këto arësye idenë e zhvillimit kulturor të një qyteti alternativ duhet ta kuptoni më pak si denoncim e më shumë si një prej zgjidhjeve të shumta që i duhen shoqërisë shqiptare.

No comments: