20.1.10

Rrjetet komplekse si ideologji post-industriale

Rrjetet komplekse si ideologji e epokës së informacionit

Në diskurset aktuale politiko-ideologjike për zgjidhjet e problemeve të mëdha të së tashmes dhe së ardhmes modelet ekonomike që përdoren për reference e me të cilat zhonglohet në diskutime nga më të ndryshmet janë shumë të thjeshtëzuara. Kjo, në kushtet kur një pjesë e mirë e shoqërive të zhvilluara po lëviz me shpejtësi prej të paktën dy dekadash në drejtim të një epoke informacioni. Dhe njëkohësisht kur njerëzimi ka krijuar tashmë një sistem global si Interneti ku për herë të parë jemi në gjendje të vërejmë (dhe eksperimentojmë me) shkallën e madhe të kompleksitetit të një sistemi jashtëzakonisht dinamik në nivel mikro e makroskopik. Megjithatë, ideologjitë e modelet aktuale socio-ekonomike janë akoma të huazuara e bazohen në debatet dhe balancat e epokës industriale ku marksizmi dhe neoliberalizmi përbëjnë dy ekstremet dhe njëkohësisht pikat e referimit.

Së paku që prej krizes globale financiare e vështirësive të dukshme që kanë tregjet për t'ju përgjigjur „ad hoc“ ngrohjes globale ka ardhur koha që ideologjisë neoliberaliste ti vihet një pikëpyetje e madhe ashtu si edhe vetë modeleve ekonomike dhe perceptimit të përgjithshëm të ekonomisë që predikohet nëpër programe të panumërta masterash ku proçese komplekse e adaptive ekonomike shpjegohen me derivate matematike të shkallës së parë. Një mjet matematik shumë primitiv e i thjeshtë për të modeluar qoftë dhe aspekte shumë të kufizuara të ekonomisë globale të sotme dhe sfidave të saj. Kur tashmë edhe për modelimin e një krahu avioni përdoret një gamë mjetesh të sofistikuara teknologjike që nga simulimet deri tek algoritmet gjenetike, modelet shumë thjeshtëzuese që na ofrohen për perceptimin e ekonomisë duhet të shihen gjithnjë e më tepër si placebo të cilat funksionojnë në vija shumë të trasha sepse ne (publiku) besojmë në to por jo sepse ato janë modele objektivisht të mira.

Shoqëritë dhe ekonomitë si rrjete komplekse
Nga një sërë disiplinash e nëndisiplinash shkencore shoqëritë dhe ekonomitë kanë filluar të shihen gjithnjë e më shumë si sisteme agjentësh të ndërlidhur me njëri tjetrin që bashkëveprojnë e riprodhohen në mënyra të caktuara të varura nga shumë parametra. Këtu një rol kyc luajnë mekanizmat komplekse të marrie-dhënieve (feedback) që përforcojnë apo dobësojnë njërin apo tjetrin efekt deri sa arrihet një balancë dinamike e qëndrueshme ose jo. Nën këtë këndvështrim mund të themi se kemi të bëjmë me një rrjet kompleks, me një ekosistem dinamik. Rrjetet komplekse janë një model i ri i përftuar nga kombinimi i njohurive shkencore të ardhura nga një rang disiplinash si nga shkenca neuronale, inteligjenca artificiale, fizika e mbi të gjitha nga biologjia. Në qendër të këtij modeli qëndrojnë tema si bashkëveprimi dhe mekanizmat e marrie-dhenieve (feedback-u), adaptiviteti dhe mekanizmat evolucionare.

Rrjetet komplekse shihen si sisteme inteligjente të afta për të zgjidhur probleme komplekse. Nuk është rastësi që truri, organi i mendimit, është i organizuar në formën e një rrjeti shumë dinamik. Edhe „Tregjet“ siç i përjetojmë në forma të ndryshme në ekonomitë e shteteve ku jetojmë janë poashtu rrjete komplekse. Por ndryshe nga cfarë predikohet Tregjet e lira rregullohen nga një sistem ligjesh natyrore apo artificiale. Vetë „Tregu“ si koncept përcaktohet nga një mënyrë e rregulluar e bashkëveprimit (shkëmbimit të resurseve/produkteve) midis agjentëve brenda tij, pra ngrihet mbi një sërë rregullash që i japin veti të caktuara. Në rrjetet komplekse sistemet e brendshme rregullative shihen jo vetëm si mekanizma kontrolli mbi cilësitë e rrjetit por edhe si kodifikim i eksperiencës dhe inteligjencës së rrjetit, si produkt evolucionar i përshtatur ndaj mjedisit. Organizatat apo korporatat, nëse ato i shohim si rrjete komplekse, e kodifikojnë eksperiencën dhe inteligjencën e tyre në formë proçesesh të brendshme apo rregullash të cilat ndryshojnë/evoluojnë me ndryshimin e mjedisit. Në mënyrë analoge edhe sistemet rregullative të tregjeve (institucionet) janë mekanizma kontrolli të cilat janë zhvilluar në mënyrë që tregjet të kenë cilësi të caktuara në një mjedis dhe në një mpleks kushtesh të brendshme të caktuara.

Dhënia e një kahu statik evolucionit rregullativ brenda rrjeteve komplekse psh. drejt derregullimit dhe shpërndarjes totale të kontrollit apo drejt rregullimit të proçeseve prodhuese dhe centralizimit total të kontrollit është dogmë që nuk merr parasysh diversitetin e kushteve të brendshme të rrjeteve dhe dinamikën e madhe të mjedisit. Ndërsa „mjedisi“ për njerëzit e shoqëritë e tyre ka qenë historikisht natyra, tashmë pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e mjedisit po bëhen dhe vetë sistemet artificiale e teknologjia njerëzore. Në vetvete kjo është për tu shqetësuar për sa kohë mënyrën e funksionimit kolektiv bashkë me evolucionin e tyre ne e kuptojmë akoma më pak sesa dinamikën e sistemeve natyrore.

Interneti, rrjetet e sensoreve dhe „Truri global“
Nën këtë vazhdë nuk mund të le pa prekur Internetin, sistemin artificial më kompleks që njerëzimi ka ngritur ndonjëherë. Si shembulli „par excellence“ dhe një nga frymëzuesit kryesorë të rrjeteve komplekse Interneti është zhvilluar tashmë në një rrjet të aftë jo vetëm për të tërhequr e ruajtur informacione por edhe për të marrë vendime inteligjente. Vetë tregu global ka vështirësi për ta gëlltitur Internetin, një sistem që në fjalët e Frank Schirrmacher (editor i Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe filozof në temat e teknologjisë numerike) kombinon e mishëron tre teoritë më të rëndësishme të dy shekujve të shkuar, Teilorizmin, Marksizmin dhe Darvinizmin.

Ndërkohë, rrjetet e miliarda sensorëve që do të vendosen gradualisht në vitet e ardhshme për monitorimin fillimisht të ambientit, trafikut etj. mund të na japin informacione në kohë reale mbi dinamikën e shumë proçeseve komplekse ekonomike e ambientale. I shtyrë në ekstrem kombinimi i Internetit me këtë rrjet kapilar sensorësh, pra kombinimi i aftësisë për monitorim të proceseve të marrie-dhenieve (feedback) dhe aftësisë për vendimmarrje në kohë reale ofron mundësi dhe rreziqe deri më tani të panjohura. Sipas një prej pionierëve të rrjeteve komplekse (Russell, The Global Brain: speculations on the evolutionary leap to planetary consciousness) rrjetëzimi i rreth 10 miliardë elementëve nëpërmjet lidhjeve komunikuese dinamike shkakton evoluimin e krejt sistemit në një nivel tjetër kualitativ organizimi (psh. numri i atomeve në një bio-molekulë, numri i molekulave në një qelizë, numri i qelizave në korteksin-in e trurit).

Kjo shifër është arritur tashmë brenda Internetit nëse numërojmë njerëzit bashkë me robotët virtualë dhe impakti shoqëror i këtij ekosistemi miks sapo ka filluar të bëhet i dukshëm (i ashtuquajturi „Truri global“ si një përzierje e njerëzve dhe robotëve virtualë). Megjithatë, ngritja e një sistemi global sensorësh do të mundësonte një sistem tërësisht artificial të aftë të përshtatet e evoluojë vetvetiu, me pak ose aspak ndërhyrje njerëzore. Rrjeti kapilar i sensorëve i integruar në Internet mund të shërbejë si platforma bazë mbi të cilën mund të ngrihen organizime shqërore që më parë nuk kanë qenë të mundura. Nga utopitë e shekullit të shkuar psh. shoqëritë ku kontrolli dhe proceset e prodhimit janë tërësisht të centralizuara (dicka e ngjashme me vizionet e Xhorxh Oruell), shoqëritë tërësisht të decentralizuara e deri tek shoqëritë që ngrihen mbi kryqëzime paradigmash kontrolli nga më të ndryshmet. Teorikisht, shoqëritë njerëzore do të mund deri edhe të delegojnë tek sistemet artificiale të informacionit një pjesë të madhe të evolucionit organizativ. Së fundmi pra, mbase do të jetë Interneti ai që do të kontrollojë e gëlltisë tregun global.

Rrjetet komplekse dhe biologjia si baza të një përqasjeje të re
Në kushtet e këtij lloj kompleksiteti, risqesh dhe mundësish të mëdha që ofron teknologjia moderne kuptimi i dinamikave komplekse të një ekonomie gjithnjë e më të mpleksur dhe modelet që duhet të marrim për bazë duhet ti kenë rrënjët tek shkenca e re e rrjeteve si dhe biologjia, shkenca më me eksperiencë dhe informacion mbi sistemet dinamike, dhe jo tek rregulla dore si më sot. është me rëndësi psh. që një pjesë e caktuar e ekonomistëve të njohin e frymëzohen nga sistemet biologjike në vend të ruletës ruse apo bingove. Të shohin e analizojnë se si sistemet biologjike shmangin rreziqe sistemike në nivel qelizor dhe në atë makroskopik, njohuri të cilat mund të simulohen e më pas të aplikohen dhe në rrjetet gjithnjë e më komplekse të shkëmbimeve financiare apo ato të tregtisë globale. Gjithsesi, zhvillimet e viteve të fundit që nga ngritja e Internetit deri tek kriza globale duhet të na shtyjnë ti vëmë në pikëpyetje modelet mbizotëruese shoqërore e ekonomike aktuale. Në vend të mendojmë se si mund t'ja përshtasim teknologjitë komplekse që kemi krijuar modeleve tona akoma primitive duhet të mendojmë se si mund ti shfrytëzojmë ato për të arritur stade të tjera organizimi, më njerëzore e më të imunizuara ndaj risqeve sistemike.

No comments: