15.5.09

Komunitetet "xhepa" të internetit dhe sistemet komplekse.

Në eksperiencën time në internet me kulturat e komunikimit dhe komunitetet virtuale brenda tij, më ka rënë në sy shpesh herë një cikël i përsëritur i zhvillimit dhe jetës së brendshme të grupeve të internetit.

Një nga anët më të dukshme të dinamikës së komunikimit virtual në një grup të caktuar ka qenë për mua jetëgjatësia e vetë grupit dhe zhvillimi i grupit në drejtim të konformizmit. Vetë zhvillimi drejt konformizmit është nje element që luan rol të dorës së parë në jetëgjatësine e grupit. Dinamika e konformizmit ma merr mendja që studiohet aktualisht nga shkencetarë më të aftë se unë. Gjithsesi me duket interesante të diskutohet për grupet e specializuara të internetit të cilëve unë këtu do ti referohem si grupet "xhepa" nën perspektivën e teorive të sistemeve adaptive komplekse. Modelet e sistemeve adaptive komplekse jane nje përzierje e teorisë së termodinamikës fizike e kibernetikës nga njera anë dhe teorise së evolucionit biologjik nga ana tjetër. Këto modele e shohin zhvillimin e një sistemi si një proçes kompleks bashkëveprimi të sistemit me mjedisin e vet. Me grupet xhepa kam ndërmend ato grupe që mblidhen rreth nje ideje, rreth nje filozofie te caktuar, apo që mbledhin një grup të caktuar social njerezish. Grupet xhepa ne internet krijohen shpesh herë rreth trivializmave si psh. komuniteti për macet e bardha dhe ndonjëherë rreth ideve me karakter më serioz politik apo social. Çfarë zhvillimesh ka në grupet xhepa dhe si ndikon cikli i lindjes, zhvillimit dhe shuarjes së këtyre lloj grupeve në ekosistemin e përgjithshëm të komunikimit në internet?

Për mendimin tim ka disa lloje skenaresh të mundshme për zhvillimin e grupeve xhepa. Unë do ti ndaja ato në dy kategori. Në skenarët e sistemeve të hapura dhe skenarët e sistemeve të mbyllura. Në skenaret e sistemeve të hapura do të fusja grupet qe e bëjnë qarkullimin (futje daljen) e anëtareve dhe informacioneve të thjeshtë. Këtu grupi bashkëvepron dendur me mjedisin. Në skenarët e sistemeve të mbyllura do të fusja grupet që e bejnë qarkullimin e anëtarëve dhe informacioneve më të vështirë. Pra grupi nuk bashkëvepron fare apo bashkëvepron shumë pak me mjedisin. Te dyja këto skenare unë do ti trajtoj si rastet ideale. Natyrisht në realitet ka përzierje të të dyja këtyre skenareve. Por le ti trajtojmë pak më në detaje ato.

Sistemet e hapura
Në skenarin e sistemeve të hapura grupet jane më të hapura për anëtare të rinj qoftë në mënyrën e integrimit të anëtarëve të rinj në grup e qoftë nëpërmjet qarkullimit të informacioneve me mjedisin. Tek këto grupe vlen maksima që sa më të mëdhenj të bëhen aq më shumë e humbin identitetin fillestar.

Rritja dhe konformizimi
Konformizimi e humbja e identitetit fillestar mund të kuptohet nëse ndjekim një llogjike të thjështe statistikore. Anëtaret e rinj që integrohen në grupet e hapura identifikohen përgjithësisht me to. Vini re se fjala përgjithësisht është kyçi këtu. Përgjithësisht do të thotë se psh. një anëtar i ri identifikohet me 80-90% të vlerave e kultures se grupit por jo me 100%. Nëse marrim një mesatare prej 80-90% tek të gjithë anëtarët e rinj atëhere prerja e bashkësisë së vlerave me të cilat ata identifikohen është më e vogël se 80-90%. Prerja gjithnjë e më e vogël me rritjen e numrit të anëtarëve vjen sepse ato 80-90% të bashkësisë së vlerave me të cilat identifikohen anëtarët e rinj janë të shpërndara në mënyrë të rastësishme, dmth. nuk janë të njëjta tek sejcili prej anëtarëve te rinj. Nese i shkojmë kesaj llogjike deri në fund duhet marrë parasysh se grupet rriten në faza të caktuara dhe në çdo fazë ka një humbje të caktuar të identitetit siç ekzistonte para fazës së rritjes. Pra humbja e identitetit është eksponenciale në lidhje me numrin e fazave të rritjes. Në këtë argumentim statistikor shumë parametra i mora (shumë) të thjeshtuar për të dhënë idenë (psh. bashkësi vlerash e pandryshueshme, kulture e kuantifikueshme, shpërndarje e rastësishme etj. etj.) por në realitet grupet janë natyrisht më të komplikuara.

Sistemeve të hapura ju duhet të rriten
Vetia mbase më e rëndësishme e sistemeve të hapura është që atyre ju duhet të rriten deri në një pikë të caktuar ekuilibri. Arsyeja kryesore e rritjes së tyre është se duke qenë brenda një mjedisi shumë dinamik dhe të ndryshueshem më të cilin ato bashkëveprojnë dendur, vetëm rritja dhe diversifikimi i brendshëm i bën sistemet e hapura aq adaptive sa të mbijetojnë. Rritja mund të vazhdojë deri në pikën ku gjendet një balancë cilësore midis kostove për mbajtjen e infrastruktures së krejt sistemit dhe arritjes së një niveli diversifikimi të brendshëm të kenaqshem që i ben ballë dinamizmit të mjedisit.

Roli i infrastrukturës
Nëse grupi xhep fillestar pra, adopton në mënyra të ndryshme skenarin e sistemit të hapur atehere ka dy mundësi zhvillimesh. Nëse ky grup ka infrastrukture më të mirë se mjedisi jashtë tij për të ngritur (nen)grupe xhep atehere anëtarët e kompensojnë humbjen e identitetit fillestar të grupit me ngritjen e (nen)grupeve xhep. Nëse këtij grupi i mungon infrastruktura, apo mundësia për të krijuar grupe xhep brenda tij është me e keqe sesa në mjedisin rrethues, atehere ky grup nuk arrin balancën optimale midis infrastrukturës dhe diversifikimit dhe si pasojë e humbjes graduale të identitetit edhe anetaret fillojnë e largohen drejt alternativave me një infrastrukture më të mirë. Në këtë rast grupi tkurret dhe kthehet në një sistem te mbyllur (shih më poshtë) ose vdes. E vetmja mënyrë pra për krijimin dhe mbijetesen e grupeve të medha është që këto grupe të sigurojnë një infrastrukturë më të mirë diversifikimi sesa ajo e mjedisit/konkurencës për krijimin e (nën)grupeve xhepa.

Autoriteti
Autoriteti brenda sistemeve të hapura evoluon në drejtim të decentralizimit. Kur sistemi i hapur nis si një grup xhep, autoriteti i perket disa pak instancave centrale. Me rritjen e diversitetit të (nën)grupeve xhepa dhe njëkohësisht të varësisë së sistemit të hapur nga këto (nën)grupe, autoriteti shpërndahet gradualisht tek të gjitha (nën)grupet xhepa.

Ekuilibri
Së fundmi, kur arrihet pika e ekuilibrit pra ku sistemi i hapur gjen pikën optimale midis kostos së infrastruktures dhe një diversifikimi të kënaqshem ai nuk zhvillohet më dhe është tashmë një ekosistem më vete i cili dallon nga mjedisi kryesisht në infrastrukturën e komunikimit e të bashkëveprimit dhe jo më nga ndonjë identitet kulturor i përbashkët i anëtarëve.

Sistemet e mbyllura
Grupet xhepa që adoptojnë skenarin e sistemeve të mbyllura karakterizohen nga bashkëveprimi i dobët me mjedisin dhe nga qarkullimi i dobet i anëtarëve e informacionit.

Evoluim i ngadalshem dhe ruajtja e identitetit
Keto grupe nuk përshtaten e evoluojne shpejt dhe ruajne identitetin e tyre fillestar. Në fakt, këto grupe nuk riprodhohen nga bashkëveprimi me jashtë por nga riprodhimi i brendshëm. Nëse nuk ekzistojnë mundësi riprodhimi të brendshem këto grupe kanë dy mundësi zhvillimi. Ose fillojnë hapjen, pra fillojnë të kthehen gradualisht në sisteme të hapura ose vdesin.

Infrastruktura e kufijve vs. ajo e diversifikimit
Infrastruktura e brendshme e këtyre grupeve nuk evoluon drejt mundësimit të diversifikimit të brendshem si tek sistemet e hapura por drejt përmirësimit të kufijve ndarës me mjedisin. Vetë strukturat e autoritetit brenda ketyre grupeve janë të tipit centralizues dhe ngrihen në funksion të ruajtes së kufijve ndarës. Këto grupe karakterizohen nga hierarki statike te brendshme dhe nga nje infrastrukture minimale. Ajo (infrastruktura) është aq minimale sa e lejon vetë ekzistencen e grupit dhe mbështetjen e infrastruktures per kufijtë e grupit. Aktualisht në internet kemi zhvillimin që grupet e mbyllura nuk mbijetojnë gjatë. Kjo sepse grupet e mbyllura nuk mund ti kontrollojnë anëtarët plotësisht dhe nuk mund ti mbajnë vetëm në virtualitetin e grupit. Anëtarët kanë dhe një jetë reale me të gjitha implikimet e mediumit tjetër (realitetit).

Karakteristikat e internetit si ekosistemi gjithëpërfshirës dhe e menyrës së komunikimit brenda internetit kushtezon qartë zhvillimin e grupeve xhepa apo ekosistemeve brenda tij. Në internet ndryshe nga në jetën sociale reale ndryshimi i grupeve mund të bëhet pa shumë kosto. Pra qarkullimi i anëtarëve është i thjeshtë dhe i shpejtë. Si pasojë, ciklet e evoluimit të grupeve xhep në internet janë shumë të shpejta. Në internet në pak vite një grup xhep mund të evoluoje në një ekosistem të plotë ndërsa në jetën reale kjo kërkon të paktën disa gjenerata. Ndryshe nga jeta reale, në internet ngritja e kufijve të një grupi xhep nuk është akoma shume e lehtë pasi qëllimi fillestar për të cilin vetë interneti u ngrit ishte realizimi i një sistemi të hapur komunikimi dhe teknologjia komunikuese e vetë internetit nuk është e përshtatshme për këtë. Interneti si ekosistem favorizon akoma sot skenarin e sistemeve të hapura. Sidoqoftë masivizimi i internetit në shkallën e sotme lejon shkallë (nën)ekosistemesh të cilat mund të mundesojnë evoluimin e sistemeve më të mbyllura të shkallëve të ndryshme.


Institucionet dhe vlerat në internet
Se fundmi, për të kaluar pak ne fantashkencë më duhet të them se institucionet e vlerat në gjeneratat e ardhshme të internetit do të jenë kryesisht të koduara si teknologji të komunikimit dhe bashkëveprimit që përdoren në bazen e tij dhe pjeserisht do te riprodhohen nga vete njerëzit pjesëmarrës në internet. Vetë ekosistemet/grupet brenda internetit do te kene të koduara në formen e teknologjive të komunikimit vlera dhe institucione bazë të evoluara nga nje proces vetë-organizues e seleksionues të zhvilluar përgjatë kohës. Teknologjia e komunikimit dhe mënyrat e bashkeveprimit do të jenë pjesa e kryesore e këtij "kodi gjenetik" të internetit dhe të ekosistemeve te evoluara brenda tij. Si mjet riprodhues e krijues i vlerave e institucioneve teknologjia dhe bashkëveprimi do të jenë fushëbeteja të përplasjeve të mëdha kulturore të së ardhmes.

7.2.09

Bashkeveprimi me kompjuterat dhe revolucioni i ri dixhital.


Teknologjia dixhitale ka lindur prej më shumë se një gjysëm shekulli me ndërtimin e tranzistorëve dhe portave llogjike të para. Rruga nga tranzistorët e parë deri tek sistemet dixhitale komplekse të sotme është një histori interesante nëse e shohim nën këndvështrimin se si njerëzit komunikonin më këto sisteme. Në fillim kishim kompjuterat "mainframe", kolosë shumëtonesh që zinin jo pak herë një kat të tërë të një ndërtese. Kompjuterat "mainframe" përdoreshin për llogaritje shumë të caktuara në raste kur kishte sasi të mëdha të dhënash. Këto lloj mamuthësh dixhitale mund të përdoreshin vetëm nga pak njerëz shumë të specializuar. Bashkëveprimi me këto kompjutera bëhej në shumë raste nëpërmjet copave prej kartoni me një sistem të caktuar vrimash. Vrimat tek kartonat ishin si të thuash fjalët me të cilat i jepje urdhëra kompjuterit e ky i fundit i zbatonte. Në atë kohë njerëzit dhe kompjuterat flisnin me vrima.


Hyrja e kompjuterit personal dhe ekranit në fillimvitet 80 nuk ndryshoi fillimisht shumë pasi mënyra e vetme e bashkëveprimit ishte një sistem shumë specifik urdhërash. Me komjuterat mund të "flisje" vetëm nëpërmjet gjuhëve të programimit dhe programeve. Ardhja e ekranit dhe e tastierës si dy aparate bashkëveprimi mundësoi fillimisht vetëm të shihje çfarë po shkruaje në tastierë. Një përmirësim ky krahasuar me metodat e mëparshme sidoqoftë akoma një formë jopraktike bashkëveprimi.

Në gjysmën e dytë të viteve 80 zhvillimi paralel i miut dhe programeve grafike të kompjuterit qe një hop i madh cilësor. Me miun që lëviz në ekran dhe sipërfaqet e programit që reagojnë ndaj klikeve të miut përdoruesi fitoi liri lëvizjeje brenda dritares virtuale (ekranit). Qe pikërisht ky hop bashkëveprimi që mundësoi masivizimin e PC-ve dhe përdorimin e mëvonshem të internetit. Proçese këto që kanë ndryshuar e po ndryshojnë shoqëritë postindustriale në shoqëri informacioni e mbi të cilat mundi të zhvillohej edhe globalizimi. Paradigma e bashkëveprimit me miun, tastierën dhe ekranin po mbush 25 vjet jetë dhe është deri më sot paradigma mbizotëruese e përdorimit të kompjuterave. Me ritmet e shpejta të inovacionit në teknologjinë dixhitale kjo paradigmë bashkëveprimi mund të quhet pa frikë e vjetëruar. Megjithatë në mungesë alternativash në përdorimin masiv ky lloj bashkëveprimi përdoret deri dhe për programe moderne si globet virtuale (google earth, microsoft virtual earth), apo botët virtuale (Second Life).

Rëndësia e paradigmave të bashkëveprimit me kompjuterat dhe numri i madh i alternativave të mundshme ka filluar të kuptohet relativisht vonë dhe po tërheq vetëm tani vëmendjen e duhur. Ndërsa deri para pak kohe rritja e shpejtësisë së kompjuterave ishte ngritur në statisun e një kulti të pacënueshëm të progresit dhe pushtetit të industrise dixhitale sot janë mënyrat e bashkëveprimit dhe komunikimit që dominojnë diskutimin shkencor dhe teknologjik. Ky ndryshim gradual fokusi nga mania për proçesorë dhe harduerë më të shpejtë tek bashkëveprimi më cilësor me kompjuterat vjen nga disa arësye. Nga njëra anë industria dixhitale ka aktualisht probleme për të mbajtur ritmin e lartë të rritjes së shpejtësisë së hardëareve. Nga ana tjetër dimensioni social i internetit dhe sukseset e Web 2.0 kanë filluar ta kthejnë fokusin tek mënyra e komunikimit në internet me njëri tjetrin dhe rrjedhimisht me kompjuterat.

Tre vitet e fundit po shohim përhapjen e paradigmave të reja të bashkeveprimit. Ndër këto më premtueset duken ekranet e prekshme, ekranet e perkulshme, telekomandat e ndjeshme ndaj lëvizjeve (sic i gjen tek ëii remote apo ifone) dhe bashkëveprimi me gjeste. Sipas shumë gjasave këto paradigma do të masivizohen brenda 5-10 vjeçarit të ardhshëm. Për mendimin tim impakti i tyre shoqëror do të jetë shumë herë më i madh krahasuar me hopin që sollën në vitet 80 miu, ekrani dhe programet grafike. Në pak vite një klasë e tërë aparatesh dixhitale të reja që do të bazohet tek këto paradigma do të lejojë një sërë programesh me një cilësi të re në shkëmbimin e informacioneve. Librat elektronikë, celularet inteligjente, tavolinat apo tabelat bashkëvepruese, të gjitha këto aparate të integruara në internet do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si luajmë, mësojmë, punojmë e krijojmë.


Bashkëveprimi me programet kompjuterike do të bëhet gjithnjë e më i ngjashëm me bashkëveprimin me objekte reale. Kjo lloj ngjashmërie ka potencial të madh në përmirësimin cilësor të shumë fushave (psh. mjekesia, mësimdhënia apo mesimi vetjak etj.) por ka potencial edhe ne shpërdorim dhe abuzim. Historikisht çdo teknologji njerëzore që nga zotërimi i zjarrit e deri tek atomi, krahas përdorimit të dobishëm është përdorur gjithnjë dhe për abuzim, pushtet e luftë. A jemi të gatshëm për mundësite e reja që pritet të na japë teknologjia dixhitale dhe si do ta ndryshojë ajo shoqërinë në mënyrë afatgjatë? Ndër ato që kam lexuar e meta e një pjese të mirë të kritikave ndaj teknologjisë dixhitale është anashkalimi i një faktori kyç të kësaj teknologjie si ritmi i inovacionit dhe aftësia për tju përgjigjur problemeve të reja të krijuara prej saj me një zhvillim të ri teknologjik. Prandaj parashikimet bëhen shumë të vështira e nuk mund të shkojnë përtej thënieve të përgjithshme e spekullimeve.


Aktualisht interneti si sistemi gjithëpërfshirës dixhital është një eldorado, një rrëmuje ku normat sapo kanë filluar të kristalizohen. Një vend perfekt për të eksperimentuar e mësuar me llojet me ekstravagante të mediave e komuniteteve por jo për të bërë parashikime. Pasi proçesi i konsolidimit të komuniteteve, normave e kulturave të lindura në internet është në vetvete shumë kompleks. Interneti është një ekosistem e si ne çdo ekosistem tjetër janë balancat e përkohëshme e komplekse ndërmjet forcave të seleksionimit kundrejt diversifikimit ato që përcaktojnë komunitetet apo normat e mënyrat e sjelljes. Në teorinë e vetëorganizimit dhe atë të rrjeteve inteligjente (ku mund të futen psh. një komunitet, shoqëri, interneti etj.) paradigma mbizotëruese është që bashkëveprimi midis nyjeve të sistemit është më i rëndësishëm sesa aftësitë e nyjeve dhe elementeve të veçanta të sistemit. Ndryshime të vogla të mënyrës së bashkëveprimit ndërmjet nyjeve të rrjetit çojnë në ndryshime të medha të superstrukturave të krejt rrjetit. Jemi para një revolucioni të ri për të cilin pak gjëra mund të themi se ku do të na çoje. E vetmja vlerë universale me të cilën i duhet hyrë këtij revolucioni është ajo që e gjen rëndom në natyrë: ruajtja e diversitetit dhe shmangja e standartizimit.

23.1.09

Interneti, segregimi dhe shkolla

Padyshim interneti si media mundeson segmentimin ne grupe "niche" me lehte sesa mundeson agregimin ne grupe gjitheperfshirese. Zgjidhja ndaj ketij problemi te seleksionimit te informacionit dhe rrethit social sipas asaj qe na pelqen apo pershtatet eshte pershtatja e institucioneve te arsimit ndaj sfidave te reja teknologjike.

Shkolla duhet te ofroje pergjigje ndaj ketij problemi dhe ndaj perdorimit te teknologjise ne menyre te ndergjegjshme. Kjo arrihet jo duke anatemuar e demonizuar teknologjine apo mediat specifike ne vetvete por duke mesuar se si perdoren ato ne menyre te ndergjegjshme. Duke i trupezuar keto teknologji ne sistemin arsimor e duke i perdorur ato per te mesuar e per te hapur horizontin jo per ta ngushtuar ate.

Qe ne internet eshte me e lehte te ndahesh sesa te bashkohesh, me e lehte te krijosh “niche” sesa nje grup gjitheperfshires eshte per mendimin tim nje defekt teknik i cili nuk kerkon asgje me shume sesa nje zgjidhje po teknike. Nuk kerkon asgje me shume sesa nje mjet komunikimi midis “niche”-ve te shumta me njera tjetren. Ne internet sapo kane filluar te lindin platformat e medha sociale te cilat kane mundesine te krijojne segregime brenda tyre por edhe ofrojne kanale komunikimi midis ketyre “niche”-ve. Keto kanale komunikimi thjesht nuk jane pjekur e mbruajtur aq shume dhe duan pak me shume kohe. Kjo eshte ajo qe duhet te ofroje nje platforme e kompletuar sociale ne internet: krijimin e segregimeve dhe njekohesisht te kanaleve te komunikimit midis ketyre segregimeve (nje sistem pra te ngjashem me shoqerine reale).

Interneti ne perspektiven e tij si shoqeri dinamike po shnderrohet dalengadale ne nje imitim te shoqerise reale sepse lidhjet ekskluzive virtuale nuk mbajne! Pikerisht nga kjo aresye forumet apo platformat sociale ne internet qe arrijne ne nje stad zhvillimi ku te gjithe anetaret mendojne njelloj kane dy mundesi zhvillimi:

1)Ose kalojne ne stadin qe kerkojne te ndryshojne dicka realisht pra bejne nje kapercim mediatik nga virtualiteti ne realitet duke u perballur e ju pershtatur te gjitha fenomeneve te reja te mediumit tjeter (realitetit), dmth. duke u reformuar.

2)Ose veteshkaterrohen, shthuren qetesisht ne pasivitet pasi askush nuk ka me deshire te diskutoje apo te shprehet me njerez qe dihet qe mendojne njelloj e me te cilet nuk te lidh asgje ne boten reale.

Nje dinamike e tille con vetem ne nje rezultat. Keshtu mbijetojne vetem grupet qe zhvendosen e kalojne ne realitet duke u reformuar ose platformat qe lejojne krijimin e segregimeve sociale dhe qe njekohesisht mundesojne mekanizma komunikimi midis ketyre segregimeve.

I gjithe sistemi pra eshte veterregullues. Kjo dinamike veterregulluese duhet perforcuar e mbajtur ne kembe nga roli i institucioneve arsimore ne perdorimin e ndergjegjshem te teknologjise dhe ne mprehjen e shqises per thithjen kritike te informacioneve. Mbytja nga informacionet dhe pergjegjesia vetjake per perzgjedhjen e informacionit eshte fenomen i ri dhe nje fenomen qe sipas shume gjasave do te qendroje gjate. Vete mediat mainstream si televizionet po levizin ne drejtim te individualizimit e bashkeveprimit me shikuesit. Pra po behen gjithnje e me te ngjashme me internetin. Eshte shkolla institucioni qe duhet te ofroje mesimin e perdorimit te ketyre mundesive te reja ne menyre te ndergjegjshme.

19.1.09

Teknologjia dixhitale tek procesi i te mesuarit.

Mjetet dixhitale dhe menyra e lundrimit ne internet kritikohen me te drejte sidomos per menyren se si ndikojne tek perqendrimi dhe vemendja. Kjo sepse linku si mjeti kryesor i lundrimit ne internet lejon kercimin e menjehereshem nga nje teme tek tjetra. Para pak kohesh lexova se ne rrjetet sociale njerezore lidhja me mesatarisht 6 persona mjafton per te qene i lidhur indirekt, nepermjet lidhjeve te lidhjeve te lidhjeve... , me te gjithe njerezit ne bote. Rrjetet e informacionit (si interneti) funksionojne ne menyre te ngjashme. Mjafton te ndjekesh dy- tre linqe dhe gjendesh ne nje teme krejtesisht te ndryshme nga ajo ku fillove lundrimin 5 minuta me pare.

Ndersa mbytja nga informacioni si nje problem i sjelle nga teknologjia dixhitale ne shoqerite moderne eshte dicka me te cilen njeriu duhet te mesoje dalengadale te perballet me sukses e ta zgjidhi ne favor te tij, procesi i te mesuarit eshte nje fushe ku teknologjia dixhitale mund te beje permiresime te medha.

Mesimi si proces eshte i lidhur fort me nderveprimin dhe bashkeveprimin. Fakt ky i neglizhuar ne menyre te skajshme ne modelet mesimdhenese deri sot. Ne vete fushen e inteligjences artificiale bashkeveprimi eshte tashme nje nga elementet kyc per percaktimin dhe zhvillimin e inteligjences. Ne natyre loja, si procesi me i vjeter e per mendimin tim me perfekt mesimidhenes, perdor pikerisht bashkeveprimin per ti mundesuar lojtareve pervetesimin e sigurte ne kohe te shkurter te nje sere njohurish e teknikash apo strategjish te rendesishme. Teknologjia dixhitale ka potencialin e kthimit te mesimit ne nje proces bashkeveprues. Nga njera ane duke e bere procesin e mesimit vetjak me social, pra duke i dhene mundesine nxenesve per te bashkevepruar me njeri tjetrin per kuptimin e nje teme. Nga ana tjeter duke i bere mjetet mesimore me bashkevepruese e inteligjente duke u pershtatur individualisht sipas temave e teknikave optimale te pervetesimit. Aktualisht sapo ka filluar te eksperimentohet me lojra sociale kompjuteri te zhvilluara per mesimin e temave te ndryshme, drejtim ky shume interesant.

Perdorimi i mjeteve dixhitale ne procesin e mesimit vetjak sapo ka filluar. Gjithsesi perhapja masive e mjeteve dixhitale vuan akoma mungesen e nje mjeti mesimor qe te nderthure vetite fizike te nje libri (mobil, i lehte per tu transportuar, nuk kerkon energji, etj) dhe vetite bashkevepruese te nje mjeti dixhital. Perparimet teknologjike te koheve te fundit tek ekranet bashkeveprues, panelet e perkulshme apo teknologji si E-Paper qe kerkojne pak energji dhe ofrojne veti optike shume te aferta me letren e vertete do te mundesojne brenda pak vitesh perdorimin masiv te teknologjise dixhitale ne procesin mesimor vetjak. Edhe ne anen e software-it gjerat kane filluar te levizin me qindra iniciativa per zhvillimin e programeve mesimore per lende nga me te ndryshmet. Ajo qe mungon eshte vetem kombinimi i teknologjive te reja ne fushen e aparateve dixhitale dhe te programeve mesimore per ta kthyer mesimin ne boom-in e ardhshem dixhital.