22.9.09

Piratët: nga Interneti në Parlamente?

Pakkush mund ta ketë dëgjuar por në Gjermani këtë të djelë ka zgjedhje parlamentare. Nga mungesa e dinamikës dhe mënyra e zhvillimit të fushatave të partive kryesore ekziston konsensus për pagëzimin e tyre si "zgjedhjet e gjumit". Megjithëse këtu nuk do të futem në detajet e politikës gjermane më duket me mjaft interes të vë në dukje dy dukuri të këtyre zgjedhjeve. Së pari do të doja të trajtoja përdorimin e Internetit për fushatat e partive kryesore. Por akoma me më rëndësi mendoj se është trajtimi i fenomenit të lindjes së lëvizjes/partisë së Piratëve.

Partitë kryesore gjermane kishin kohë të mjaftueshme për të mësuar nga zgjedhjet presidenciale amerikane, sidomos nga fushata e Obamës dhe vendin kryesor që zinte përdorimi i Internetit në të. Ato kishin kohë të mjaftueshme bile edhe për të eksperimentuar me Internetin si një platformë të rëndësishme qoftë për organizimin e brendshëm të fushatës ashtu dhe në shpërndarjen e informacioneve tek votuesit. Megjithatë, pak ditë para zgjedhjeve e pavarësisht investimeve të dukshme të partive kryesore në platformat e tyre të Web-it mund të thuhet se strategjia e tyre e Web-it ka dështuar.

Arësyet kryesore pse Interneti nuk po funksionon në zgjedhjet gjermane mund të përmblidhen në dy pika. Njëra pikë ka të bëje me tipare social-kulturore të cilat shfaqen në format centraliste të organizimit të partive gjermane dhe fushatave të drejtuara prej tyre me pak pjesëmarrje të drejtpërdrejtë qytetare. Pika e dytë është përdorimi i gabuar i Internetit. Në fushatën gjermane Interneti është përdorur vetëm si kanal plotësues i njëanshëm i komunikimit me qytetarët. Pak a shumë si një kanal shtesë shpërndarjeje informacioni krahas televizionit, radios e shtypit. Në ketë fushatë përparësitë kryesore të Internetit, bashkëveprimi dhe decentralizimi, po anashkalohen duke rezultuar në një përdorim të gjymtuar të tij. Në Gjermani nuk po shfrytëzohet aspak përdorimi i Internetit për krijimin e aktivizimin e grupeve lokale të vetëorganizuara lindur nën drejtimin ideologjik (por jo organizativ) të partive mëmë siç i pamë tek zgjedhjet amerikane.

Të vetmit që po e vënë në punë siç duhet potencialin e Internetit bëjnë pjesë tek një parti e sapolindur që i ka rrënjët krejtësisht në Internet, Partia Pirate. Pas fitimit të papritur të rreth 7% në zgjedhjet parlamentare europiane tre muaj më parë kjo parti u katapultua në vëmendjen publike jo vetëm në Gjermani. Fakti i lindjes e zhvillimit të kësaj partie ekskluzivisht nga lëvizjet e subkulturat virtuale është në vetvete një fenomen mjaft interesant edhe për vetë shoqëritë e informacionit në të cilat po transformohen vendet perëndimore. Një sinjal që Interneti e teknologjitë numerike po i shndërrojnë shoqëritë mbase më shpejt seç e priste shumëkush (ndër ta dhe unë).

Ajo çfarë partia pirate (nuk duhet ngatërruar me faqen piratebay.com) përfaqëson aktualisht është një përmbledhje shumë konçize e disa temave të mprehta ekskluzivisht virtuale apo në lidhje të drejtpërdrejtë me Internetin dhe informacionet që qarkullojnë në të, si psh. kërkesën për një shtet/administratë të qelqtë në vend të qytetarëve të qelqtë, apo ruajtja e neutralitetit të Internetit, reformimi i patentave të softuerëve e të ngjashme. Një program minimal i cili nuk ka patur akoma kohën e duhur të zhvillohet e ngjizet në një ideologji më të kompletuar. Potenciali ideologjik i piratëve mund të shkojë megjithatë shumë larg, përtej temave të pastra virtuale. Aty mund të futen qö nga stimulimi i punës nga shtëpia, te javëve 4 apo pse jo 3-ditore të punës në shumë grupe profesionale, fleksibilizimin e orarit të punës e deri tek modernizimi i institucioneve demokratike, reforma këto që janë aktualisht mëse të mundura nëpërmjet përdorimit të teknologjive numerike. Pra përgjithësisht një lëvizje e tillë mund të bëhet avokate e përdorimit të teknologjive numerike në transformimin e punës, komuniteteve, demokracisë, kapitalizmit dhe në hyrjen e vertetë në epokën e shoqërisë së informacionit.

Në disa aspekte të rëndësishme lëvizja e piratëve i ngjan lëvizjes së të gjelbërve rrënjët politike të të cilëve janë tek levizjet studentore të 68-tës. Të dyja lëvizjet ishin lëvizje decentrale qytetare të nisura nga poshtë. Qoftë të gjelbërtit në fillimet e tyre qoftë piratët sot janë lëvizje rinore dhe të vendosura në shtresën e mesme, të filluara nga segmente e grupe të vogla (studentët në 68-tën, nerd-sat :) sot) për tu përhapur më vonë përtej këtyre grupeve.

Megjithatë te gjelbërve ju deshën më shumë se një dekadë në rrugë, shkolla e universitete para se të çudisnin kolegët e tyre me flokët e gjata, mjekrat apo shtizat me të cilat thurnin trikot e leshit gjate sesioneve parlamentare. Ndërsa piratët pak muaj nga krijimi mund të hyjnë në parlamentin e shtetit me ekonominë më të fuqishme në Europë. Pavarësisht se mendoj që një periudhë disavjeçare për shndërrimin nga lëvizje decentrale qytetare në një parti me ideologji e vizion solid është e shëndetshme për të mos thënë e domosdoshme për pjekjen e duhur, futja e piratëve në parlamentin gjerman do të ishte një sensacion që do të lëshonte valë sizmike në politikën e të gjithë Europës.

Sido që ti vejë fati piratëve në zgjedhjet gjermane, qoftë si lëvizje qytetare apo si parti, shoqëritë perëndimore kanë shumë nevojë për partnerë ideologjikë e politikë që mund ti shoqërojnë ato në rrugën drejt transformimit në shoqëri informacioni. Mbase tek piratët po shohim sot fillimin e një prej lëvizjeve shoqërore më të rëndësishme të dekadave të ardhshme me impakt të ngjashëm me lindjen e të gjelbërve para dyzet vjetësh.

No comments: