Në eksperiencën time në internet me kulturat e komunikimit dhe komunitetet virtuale brenda tij, më ka rënë në sy shpesh herë një cikël i përsëritur i zhvillimit dhe jetës së brendshme të grupeve të internetit.
Një nga anët më të dukshme të dinamikës së komunikimit virtual në një grup të caktuar ka qenë për mua jetëgjatësia e vetë grupit dhe zhvillimi i grupit në drejtim të konformizmit. Vetë zhvillimi drejt konformizmit është nje element që luan rol të dorës së parë në jetëgjatësine e grupit. Dinamika e konformizmit ma merr mendja që studiohet aktualisht nga shkencetarë më të aftë se unë. Gjithsesi me duket interesante të diskutohet për grupet e specializuara të internetit të cilëve unë këtu do ti referohem si grupet "xhepa" nën perspektivën e teorive të sistemeve adaptive komplekse. Modelet e sistemeve adaptive komplekse jane nje përzierje e teorisë së termodinamikës fizike e kibernetikës nga njera anë dhe teorise së evolucionit biologjik nga ana tjetër. Këto modele e shohin zhvillimin e një sistemi si një proçes kompleks bashkëveprimi të sistemit me mjedisin e vet. Me grupet xhepa kam ndërmend ato grupe që mblidhen rreth nje ideje, rreth nje filozofie te caktuar, apo që mbledhin një grup të caktuar social njerezish. Grupet xhepa ne internet krijohen shpesh herë rreth trivializmave si psh. komuniteti për macet e bardha dhe ndonjëherë rreth ideve me karakter më serioz politik apo social. Çfarë zhvillimesh ka në grupet xhepa dhe si ndikon cikli i lindjes, zhvillimit dhe shuarjes së këtyre lloj grupeve në ekosistemin e përgjithshëm të komunikimit në internet?
Për mendimin tim ka disa lloje skenaresh të mundshme për zhvillimin e grupeve xhepa. Unë do ti ndaja ato në dy kategori. Në skenarët e sistemeve të hapura dhe skenarët e sistemeve të mbyllura. Në skenaret e sistemeve të hapura do të fusja grupet qe e bëjnë qarkullimin (futje daljen) e anëtareve dhe informacioneve të thjeshtë. Këtu grupi bashkëvepron dendur me mjedisin. Në skenarët e sistemeve të mbyllura do të fusja grupet që e bejnë qarkullimin e anëtarëve dhe informacioneve më të vështirë. Pra grupi nuk bashkëvepron fare apo bashkëvepron shumë pak me mjedisin. Te dyja këto skenare unë do ti trajtoj si rastet ideale. Natyrisht në realitet ka përzierje të të dyja këtyre skenareve. Por le ti trajtojmë pak më në detaje ato.
Sistemet e hapura
Në skenarin e sistemeve të hapura grupet jane më të hapura për anëtare të rinj qoftë në mënyrën e integrimit të anëtarëve të rinj në grup e qoftë nëpërmjet qarkullimit të informacioneve me mjedisin. Tek këto grupe vlen maksima që sa më të mëdhenj të bëhen aq më shumë e humbin identitetin fillestar.
Rritja dhe konformizimi
Konformizimi e humbja e identitetit fillestar mund të kuptohet nëse ndjekim një llogjike të thjështe statistikore. Anëtaret e rinj që integrohen në grupet e hapura identifikohen përgjithësisht me to. Vini re se fjala përgjithësisht është kyçi këtu. Përgjithësisht do të thotë se psh. një anëtar i ri identifikohet me 80-90% të vlerave e kultures se grupit por jo me 100%. Nëse marrim një mesatare prej 80-90% tek të gjithë anëtarët e rinj atëhere prerja e bashkësisë së vlerave me të cilat ata identifikohen është më e vogël se 80-90%. Prerja gjithnjë e më e vogël me rritjen e numrit të anëtarëve vjen sepse ato 80-90% të bashkësisë së vlerave me të cilat identifikohen anëtarët e rinj janë të shpërndara në mënyrë të rastësishme, dmth. nuk janë të njëjta tek sejcili prej anëtarëve te rinj. Nese i shkojmë kesaj llogjike deri në fund duhet marrë parasysh se grupet rriten në faza të caktuara dhe në çdo fazë ka një humbje të caktuar të identitetit siç ekzistonte para fazës së rritjes. Pra humbja e identitetit është eksponenciale në lidhje me numrin e fazave të rritjes. Në këtë argumentim statistikor shumë parametra i mora (shumë) të thjeshtuar për të dhënë idenë (psh. bashkësi vlerash e pandryshueshme, kulture e kuantifikueshme, shpërndarje e rastësishme etj. etj.) por në realitet grupet janë natyrisht më të komplikuara.
Sistemeve të hapura ju duhet të rriten
Vetia mbase më e rëndësishme e sistemeve të hapura është që atyre ju duhet të rriten deri në një pikë të caktuar ekuilibri. Arsyeja kryesore e rritjes së tyre është se duke qenë brenda një mjedisi shumë dinamik dhe të ndryshueshem më të cilin ato bashkëveprojnë dendur, vetëm rritja dhe diversifikimi i brendshëm i bën sistemet e hapura aq adaptive sa të mbijetojnë. Rritja mund të vazhdojë deri në pikën ku gjendet një balancë cilësore midis kostove për mbajtjen e infrastruktures së krejt sistemit dhe arritjes së një niveli diversifikimi të brendshëm të kenaqshem që i ben ballë dinamizmit të mjedisit.
Roli i infrastrukturës
Nëse grupi xhep fillestar pra, adopton në mënyra të ndryshme skenarin e sistemit të hapur atehere ka dy mundësi zhvillimesh. Nëse ky grup ka infrastrukture më të mirë se mjedisi jashtë tij për të ngritur (nen)grupe xhep atehere anëtarët e kompensojnë humbjen e identitetit fillestar të grupit me ngritjen e (nen)grupeve xhep. Nëse këtij grupi i mungon infrastruktura, apo mundësia për të krijuar grupe xhep brenda tij është me e keqe sesa në mjedisin rrethues, atehere ky grup nuk arrin balancën optimale midis infrastrukturës dhe diversifikimit dhe si pasojë e humbjes graduale të identitetit edhe anetaret fillojnë e largohen drejt alternativave me një infrastrukture më të mirë. Në këtë rast grupi tkurret dhe kthehet në një sistem te mbyllur (shih më poshtë) ose vdes. E vetmja mënyrë pra për krijimin dhe mbijetesen e grupeve të medha është që këto grupe të sigurojnë një infrastrukturë më të mirë diversifikimi sesa ajo e mjedisit/konkurencës për krijimin e (nën)grupeve xhepa.
Autoriteti
Autoriteti brenda sistemeve të hapura evoluon në drejtim të decentralizimit. Kur sistemi i hapur nis si një grup xhep, autoriteti i perket disa pak instancave centrale. Me rritjen e diversitetit të (nën)grupeve xhepa dhe njëkohësisht të varësisë së sistemit të hapur nga këto (nën)grupe, autoriteti shpërndahet gradualisht tek të gjitha (nën)grupet xhepa.
Ekuilibri
Së fundmi, kur arrihet pika e ekuilibrit pra ku sistemi i hapur gjen pikën optimale midis kostos së infrastruktures dhe një diversifikimi të kënaqshem ai nuk zhvillohet më dhe është tashmë një ekosistem më vete i cili dallon nga mjedisi kryesisht në infrastrukturën e komunikimit e të bashkëveprimit dhe jo më nga ndonjë identitet kulturor i përbashkët i anëtarëve.
Sistemet e mbyllura
Grupet xhepa që adoptojnë skenarin e sistemeve të mbyllura karakterizohen nga bashkëveprimi i dobët me mjedisin dhe nga qarkullimi i dobet i anëtarëve e informacionit.
Evoluim i ngadalshem dhe ruajtja e identitetit
Keto grupe nuk përshtaten e evoluojne shpejt dhe ruajne identitetin e tyre fillestar. Në fakt, këto grupe nuk riprodhohen nga bashkëveprimi me jashtë por nga riprodhimi i brendshëm. Nëse nuk ekzistojnë mundësi riprodhimi të brendshem këto grupe kanë dy mundësi zhvillimi. Ose fillojnë hapjen, pra fillojnë të kthehen gradualisht në sisteme të hapura ose vdesin.
Infrastruktura e kufijve vs. ajo e diversifikimit
Infrastruktura e brendshme e këtyre grupeve nuk evoluon drejt mundësimit të diversifikimit të brendshem si tek sistemet e hapura por drejt përmirësimit të kufijve ndarës me mjedisin. Vetë strukturat e autoritetit brenda ketyre grupeve janë të tipit centralizues dhe ngrihen në funksion të ruajtes së kufijve ndarës. Këto grupe karakterizohen nga hierarki statike te brendshme dhe nga nje infrastrukture minimale. Ajo (infrastruktura) është aq minimale sa e lejon vetë ekzistencen e grupit dhe mbështetjen e infrastruktures per kufijtë e grupit. Aktualisht në internet kemi zhvillimin që grupet e mbyllura nuk mbijetojnë gjatë. Kjo sepse grupet e mbyllura nuk mund ti kontrollojnë anëtarët plotësisht dhe nuk mund ti mbajnë vetëm në virtualitetin e grupit. Anëtarët kanë dhe një jetë reale me të gjitha implikimet e mediumit tjetër (realitetit).
Karakteristikat e internetit si ekosistemi gjithëpërfshirës dhe e menyrës së komunikimit brenda internetit kushtezon qartë zhvillimin e grupeve xhepa apo ekosistemeve brenda tij. Në internet ndryshe nga në jetën sociale reale ndryshimi i grupeve mund të bëhet pa shumë kosto. Pra qarkullimi i anëtarëve është i thjeshtë dhe i shpejtë. Si pasojë, ciklet e evoluimit të grupeve xhep në internet janë shumë të shpejta. Në internet në pak vite një grup xhep mund të evoluoje në një ekosistem të plotë ndërsa në jetën reale kjo kërkon të paktën disa gjenerata. Ndryshe nga jeta reale, në internet ngritja e kufijve të një grupi xhep nuk është akoma shume e lehtë pasi qëllimi fillestar për të cilin vetë interneti u ngrit ishte realizimi i një sistemi të hapur komunikimi dhe teknologjia komunikuese e vetë internetit nuk është e përshtatshme për këtë. Interneti si ekosistem favorizon akoma sot skenarin e sistemeve të hapura. Sidoqoftë masivizimi i internetit në shkallën e sotme lejon shkallë (nën)ekosistemesh të cilat mund të mundesojnë evoluimin e sistemeve më të mbyllura të shkallëve të ndryshme.
Institucionet dhe vlerat në internet
Se fundmi, për të kaluar pak ne fantashkencë më duhet të them se institucionet e vlerat në gjeneratat e ardhshme të internetit do të jenë kryesisht të koduara si teknologji të komunikimit dhe bashkëveprimit që përdoren në bazen e tij dhe pjeserisht do te riprodhohen nga vete njerëzit pjesëmarrës në internet. Vetë ekosistemet/grupet brenda internetit do te kene të koduara në formen e teknologjive të komunikimit vlera dhe institucione bazë të evoluara nga nje proces vetë-organizues e seleksionues të zhvilluar përgjatë kohës. Teknologjia e komunikimit dhe mënyrat e bashkeveprimit do të jenë pjesa e kryesore e këtij "kodi gjenetik" të internetit dhe të ekosistemeve te evoluara brenda tij. Si mjet riprodhues e krijues i vlerave e institucioneve teknologjia dhe bashkëveprimi do të jenë fushëbeteja të përplasjeve të mëdha kulturore të së ardhmes.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment