
Teknologjia dixhitale ka lindur prej më shumë se një gjysëm shekulli me ndërtimin e tranzistorëve dhe portave llogjike të para. Rruga nga tranzistorët e parë deri tek sistemet dixhitale komplekse të sotme është një histori interesante nëse e shohim nën këndvështrimin se si njerëzit komunikonin më këto sisteme. Në fillim kishim kompjuterat "mainframe", kolosë shumëtonesh që zinin jo pak herë një kat të tërë të një ndërtese. Kompjuterat "mainframe" përdoreshin për llogaritje shumë të caktuara në raste kur kishte sasi të mëdha të dhënash. Këto lloj mamuthësh dixhitale mund të përdoreshin vetëm nga pak njerëz shumë të specializuar. Bashkëveprimi me këto kompjutera bëhej në shumë raste nëpërmjet copave prej kartoni me një sistem të caktuar vrimash. Vrimat tek kartonat ishin si të thuash fjalët me të cilat i jepje urdhëra kompjuterit e ky i fundit i zbatonte. Në atë kohë njerëzit dhe kompjuterat flisnin me vrima.

Hyrja e kompjuterit personal dhe ekranit në fillimvitet 80 nuk ndryshoi fillimisht shumë pasi mënyra e vetme e bashkëveprimit ishte një sistem shumë specifik urdhërash. Me komjuterat mund të "flisje" vetëm nëpërmjet gjuhëve të programimit dhe programeve. Ardhja e ekranit dhe e tastierës si dy aparate bashkëveprimi mundësoi fillimisht vetëm të shihje çfarë po shkruaje në tastierë. Një përmirësim ky krahasuar me metodat e mëparshme sidoqoftë akoma një formë jopraktike bashkëveprimi.
Në gjysmën e dytë të viteve 80 zhvillimi paralel i miut dhe programeve grafike të kompjuterit qe një hop i madh cilësor. Me miun që lëviz në ekran dhe sipërfaqet e programit që reagojnë ndaj klikeve të miut përdoruesi fitoi liri lëvizjeje brenda dritares virtuale (ekranit). Qe pikërisht ky hop bashkëveprimi që mundësoi masivizimin e PC-ve dhe përdorimin e mëvonshem të internetit. Proçese këto që kanë ndryshuar e po ndryshojnë shoqëritë postindustriale në shoqëri informacioni e mbi të cilat mundi të zhvillohej edhe globalizimi. Paradigma e bashkëveprimit me miun, tastierën dhe ekranin po mbush 25 vjet jetë dhe është deri më sot paradigma mbizotëruese e përdorimit të kompjuterave. Me ritmet e shpejta të inovacionit në teknologjinë dixhitale kjo paradigmë bashkëveprimi mund të quhet pa frikë e vjetëruar. Megjithatë në mungesë alternativash në përdorimin masiv ky lloj bashkëveprimi përdoret deri dhe për programe moderne si globet virtuale (google earth, microsoft virtual earth), apo botët virtuale (Second Life).
Rëndësia e paradigmave të bashkëveprimit me kompjuterat dhe numri i madh i alternativave të mundshme ka filluar të kuptohet relativisht vonë dhe po tërheq vetëm tani vëmendjen e duhur. Ndërsa deri para pak kohe rritja e shpejtësisë së kompjuterave ishte ngritur në statisun e një kulti të pacënueshëm të progresit dhe pushtetit të industrise dixhitale sot janë mënyrat e bashkëveprimit dhe komunikimit që dominojnë diskutimin shkencor dhe teknologjik. Ky ndryshim gradual fokusi nga mania për proçesorë dhe harduerë më të shpejtë tek bashkëveprimi më cilësor me kompjuterat vjen nga disa arësye. Nga njëra anë industria dixhitale ka aktualisht probleme për të mbajtur ritmin e lartë të rritjes së shpejtësisë së hardëareve. Nga ana tjetër dimensioni social i internetit dhe sukseset e Web 2.0 kanë filluar ta kthejnë fokusin tek mënyra e komunikimit në internet me njëri tjetrin dhe rrjedhimisht me kompjuterat.
Tre vitet e fundit po shohim përhapjen e paradigmave të reja të bashkeveprimit. Ndër këto më premtueset duken ekranet e prekshme, ekranet e perkulshme, telekomandat e ndjeshme ndaj lëvizjeve (sic i gjen tek ëii remote apo ifone) dhe bashkëveprimi me gjeste. Sipas shumë gjasave këto paradigma do të masivizohen brenda 5-10 vjeçarit të ardhshëm. Për mendimin tim impakti i tyre shoqëror do të jetë shumë herë më i madh krahasuar me hopin që sollën në vitet 80 miu, ekrani dhe programet grafike. Në pak vite një klasë e tërë aparatesh dixhitale të reja që do të bazohet tek këto paradigma do të lejojë një sërë programesh me një cilësi të re në shkëmbimin e informacioneve. Librat elektronikë, celularet inteligjente, tavolinat apo tabelat bashkëvepruese, të gjitha këto aparate të integruara në internet do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si luajmë, mësojmë, punojmë e krijojmë.
Bashkëveprimi me programet kompjuterike do të bëhet gjithnjë e më i ngjashëm me bashkëveprimin me objekte reale. Kjo lloj ngjashmërie ka potencial të madh në përmirësimin cilësor të shumë fushave (psh. mjekesia, mësimdhënia apo mesimi vetjak etj.) por ka potencial edhe ne shpërdorim dhe abuzim. Historikisht çdo teknologji njerëzore që nga zotërimi i zjarrit e deri tek atomi, krahas përdorimit të dobishëm është përdorur gjithnjë dhe për abuzim, pushtet e luftë. A jemi të gatshëm për mundësite e reja që pritet të na japë teknologjia dixhitale dhe si do ta ndryshojë ajo shoqërinë në mënyrë afatgjatë? Ndër ato që kam lexuar e meta e një pjese të mirë të kritikave ndaj teknologjisë dixhitale është anashkalimi i një faktori kyç të kësaj teknologjie si ritmi i inovacionit dhe aftësia për tju përgjigjur problemeve të reja të krijuara prej saj me një zhvillim të ri teknologjik. Prandaj parashikimet bëhen shumë të vështira e nuk mund të shkojnë përtej thënieve të përgjithshme e spekullimeve.
Aktualisht interneti si sistemi gjithëpërfshirës dixhital është një eldorado, një rrëmuje ku normat sapo kanë filluar të kristalizohen. Një vend perfekt për të eksperimentuar e mësuar me llojet me ekstravagante të mediave e komuniteteve por jo për të bërë parashikime. Pasi proçesi i konsolidimit të komuniteteve, normave e kulturave të lindura në internet është në vetvete shumë kompleks. Interneti është një ekosistem e si ne çdo ekosistem tjetër janë balancat e përkohëshme e komplekse ndërmjet forcave të seleksionimit kundrejt diversifikimit ato që përcaktojnë komunitetet apo normat e mënyrat e sjelljes. Në teorinë e vetëorganizimit dhe atë të rrjeteve inteligjente (ku mund të futen psh. një komunitet, shoqëri, interneti etj.) paradigma mbizotëruese është që bashkëveprimi midis nyjeve të sistemit është më i rëndësishëm sesa aftësitë e nyjeve dhe elementeve të veçanta të sistemit. Ndryshime të vogla të mënyrës së bashkëveprimit ndërmjet nyjeve të rrjetit çojnë në ndryshime të medha të superstrukturave të krejt rrjetit. Jemi para një revolucioni të ri për të cilin pak gjëra mund të themi se ku do të na çoje. E vetmja vlerë universale me të cilën i duhet hyrë këtij revolucioni është ajo që e gjen rëndom në natyrë: ruajtja e diversitetit dhe shmangja e standartizimit.
No comments:
Post a Comment