Procesi i globalizimit ka sjellë me vete një lëvizshmëri shumë më të madhe të kapitalit njerëzor. Kjo fjali, në dukje e bluar për seminare pompoze e teorike, mund të projektohet në rastin shqiptar tek fenomeni i mirënjohur i largimit masiv të shqiptarëve 15 vitet e fundit drejt vendeve të ndryshme të Evropës e Amerikës. Pjesë jo e vogël e të larguarve kanë qenë dhe kuadro, profesionistë, maturantë, studentë, profesorë etj. Mbi këtë "largim të mendjes", proces ky akoma në vazhdim, ekzistojnë aktualisht shumë pak të dhëna të sakta. E vetmja gjë që mund të thuhet me siguri është se "largimi i mendjes" ka prekur rëndë shoqërinë shqiptare gjatë viteve të tranzicionit. Me gjithë dëmet afatgjata që sjell "largimi i mendjes" për shoqërinë shqiptare, globalizimi mund të shihet dhe si shans për nisjen e procesit të "rifitimit të mendjes", si proces balancues kundër "largimit të mendjes", për disa arsye. Në radhë të parë, globalizimi së bashku me teknologjitë e reja të komunikimit ka rritur shpejtësinë e transferimit të dijeve shkencore e teknologjisë. Këtu mund të përmendim se India është një nga vendet për t'u marrë shembull për mënyrën si e ka përdorur diasporën e saj si pararojë të përftimit të teknologjisë së re. Së dyti, globalizimi ka rritur ndjeshëm mundësinë e transferimit të kapitalit dhe shpejtësinë e këtij transferimi pavarësisht nga vendndodhja gjeografike. Mbi këtë sfond mund të përmendet rasti i Kinës, në të cilën rreth 80% e investimeve të huaja vijnë nga diaspora e saj.
Duke e lënë ekskursin e përgjithshëm mbi "largimin e mendjes" le të kthehemi në rastin specifik shqiptar. Para pak kohe u publikua nga "Albstudent", rrjeti ndërkombëtar i shoqatave studentore shqiptare, një studim i parë mbi studentët shqiptarë jashtë, të cilët mendohet të jenë rreth 25-30 mijë dhe janë një nëngrup shumë interesant në procesin shqiptar të "largimit të mendjes". Përveç rezultateve mbi gjininë, degët e studimit, etj., rezultati më befasues i studimit të "Albstudent" është se, pak më shumë se gjysma e studentëve nga Shqipëria janë të pavendosur mbi kthimin e tyre në atdhe pas studimit. Sondazhi i "Albstudent" tregon se kjo përqindje e madhe e të pavendosurve ekziston dhe ndërmjet studentëve shqiptarë nga Kosova e Maqedonia, të cilët studiojnë jashtë. Rezultatet e këtij studimi të parë dhe studimeve të ardhshme duhet të shërbejnë për të hartuar një strategji të veçantë për studentët shqiptarë jashtë në kuadër të përpjekjeve të përgjithshme të shoqërisë shqiptare për t'ju kundërvënë "largimit të mendjes".
Përveç domosdoshmërisë për një strategji të veçantë për studentët është e nevojshme të kuptohen drejt dhe kushtet e kornizat në të cilën një strategji e tillë mund të ketë sukses. Nëse e marrim si të mirëqenë faktin se tregut të punës në Shqipëri do t'i duhet akoma shumë vjet për të qenë tërheqës për studentët shqiptarë jashtë, bëhet e qartë që strategjia për studentët duhet t'i kushtojë një rëndësi të veçantë aspekteve e proceseve sociale. Familja, e akoma më tepër rrethi shoqëror e rrethi profesional, janë struktura sociale që ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm shoqëror e profesional të studentëve si dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mbajtjen e lidhjeve aktive me Shqipërinë apo dhe në kthimin e studentëve pas studimit.
Në këtë kontekst, çdo strategji për shfrytëzimin e potencialit të studentëve duhet t'i prekë ata gjatë gjithë periudhës së studimit të tyre si dhe në vendin ku studiojnë. Kjo për të paktën dy arsye. Së pari, në këtë periudhë çdo student fillon me ndërtimin e një rrethi të ri shoqëror lokal si dhe me ndërtimin e një rrjeti vetjak socio-profesional të përbërë nga njerëz të njohur kryesisht gjatë studimit me të cilët mund të bëhen bashkëpunime profesionale në të ardhmen. Së dyti, gjatë viteve të studimit duhet marrë vendimi për kthimin ose jo në vendlindje pas përfundimit të shkollës së lartë. Marrja e vendimit për t'u kthyer apo për të mos u kthyer është një proces që fillon që në muajt e parë të qëndrimit jashtë e zgjat praktikisht deri pak kohë pas studimit me vendosjen e një baze ekonomike e sociale.
Duke pasur parasysh që studentët shqiptarë janë të përqendruar kryesisht në qytete e universitete të caktuara, për të ndikuar qoftë në ndërtimin e rrethit shoqëror e profesional, qoftë në vendimin e tyre për t'u kthyer, kandidatët më të mirë duket se janë komunitetet/rrjetet e sotme studentore shqiptare jashtë. Rrjetet e komunitetet e studentëve shqiptarë jashtë luajnë një rol kyç në mbajtjen e lidhjeve aktive të shumë studentëve si me njëri-tjetrin ashtu edhe me realitetin ekonomiko-social të Shqipërisë. Shembuj të këtij roli të rrjeteve studentore janë dhe projekte si ai i ndërmjetësimit të praktikave i realizuar tashmë rregullisht prej dy vitesh nga "Albstudent" e i financuar në kuadër të Paktit të Stabilitetit nga Ambasada Gjermane.
Përveç kësaj, rrjetet e sotme të studentëve jashtë mund të shërbejnë dhe si baza për ndërtimin rrjeteve socio-profesionale të këtyre studentëve në të ardhmen. Nëse në rrethin shoqëror apo në rrjetin socio-profesional të një studenti ka një përbërje të konsiderueshme studentësh të tjerë shqiptarë, mundësia e kthimit apo mundësia e mbajtjes së lidhjeve aktive me Shqipërinë rritet. Gjithashtu, nëse një pjesë e studentëve të rrjetit vetjak profesional kthehet në Shqipëri pas studimit e një pjesë nuk kthehet, rasti më i mundshëm për çdo student jashtë, mundësia për bashkëpunime me Shqipërinë në të ardhmen gjithashtu rritet. Rrjetet socio-profesionale kanë potencial të madh në shkëmbimin e dijeve e të teknologjisë. Këtu mund të kemi parasysh rastin e indianëve të shkolluar në SHBA, të cilët në vitin 1998 zotëronin rreth 800 firma në Luginën e Silikonit (Silicon Valley) me shitje vjetore prej rreth 3,6 miliardë dollarë e me rreth 16 mijë të punësuar. Tashmë një pjesë e mirë e teknologjisë së këtyre firmave gjendet dhe në Indi. Kjo, në sajë të rrjetëzimit të mirë të indianëve të shkolluar në Amerikë dhe në sajë të nxitjes nga shteti indian të bashkëpunimit me sektorin privat në Indi nëpërmjet lehtësive ligjore etj.
Për më tepër, në sajë të dinamikës së zhvillimit të komuniteteve studentore shqiptare në 10 vitet e fundit ato në shumë raste kanë arritur të japin dhe impulse të rëndësishme rigjallëruese për të gjithë strukturat e diasporës shqiptare.
Përfundimisht, për të gjitha këto arsye duhet thënë se përveç politikave joshëse për kthimin e studentëve pasi ata e kanë përfunduar studimin, është e rëndësishme që çdo strategji për studentët jashtë të përmbajë në vetvete dhe mbështetjen aktive të komuniteteve e rrjeteve studentore jashtë Shqipërisë, duke i prekur studentët shumë më direkt dhe gjatë kohës së studimit të tyre jashtë. Realizimi i mbështetjes mund të bëhet qoftë nëpërmjet financimit të projekteve të vogla të këtyre komuniteteve qoftë nëpërmjet rolit shumë më aktiv që përfaqësitë shqiptare jashtë duhet të luajnë këtej e tutje në drejtimin e organizimin e studentëve. Strategjia e subvencionimit të rrjeteve të tilla përmban në vetvete një lloj garancie suksesi, pavarësisht nëse studentët kthehen masivisht apo jo. Mbështetja aktive nga shteti e rrjeteve/komuniteteve studentore shqiptare jashtë duhet të shihet si një prioritet, pasi kjo mbështetje nënkupton mbijetesën e këtyre rrjeteve dhe konsolidimin e tyre në planin afatgjatë.
Endri Deliu
Tirana Observer
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment