12.7.07

Studentet shqiptare jashte, potenciali e perspektiva e tyre komunitetkrijuese

Numri i te larguarve nga Shqiperia gjate viteve te tranzicionit mendohet se arrin shifren prej rreth 1 milionesh. Ne Kosove kemi poashtu zhvillime te permasave te ngjashme. Megjithese emigrantet kane nje ndikim te rendesishem ne ekonomine e Shqiperise e asaj te Kosoves pak dihet per strukturat sociale e format e komuniteteve qe ata kane ngritur se bashku gjate qendrimit te tyre jashte. Ne menyre te vecante dihet shume pak mbi grupe te caktuara sociale si intelektualet apo profesionistet ndermjet emigranteve e mbi menyrat e tyre te organizimit e te bashkeveprimit. Sidomos nen kendveshtrimin e procesit te "rifitimit te mendjes" format aktuale te bashkeveprimit te intelektualeve, profesionisteve e studenteve jashte si dhe sidomos zhvillimi i tyre ne te ardhmen mbartin nje rendesi te vecante. Ne rastin e emigranteve shqiptare nje faktor kyc qe ka kushtezuar historikisht procesin e organizimit te tyre ne struktura sociale ka qene mungesa e nje institucioni social me kapacitet e autoritet te mjaftueshem per te ngjizur komunitete te mirefillta sic ishte sinagoga per emigrantet izraelite apo kisha ortodokse per ata greke. Cfare komunitetesh apo formash organizimi gjejme sot tek emigrantet shqiptare ne pergjithesi? Me konkretisht, cfare dinamike komunitetkrijuese ka aktualisht e cili do te jete zhvillimi ne te ardhmen ne grupet e vecanta sociale si studentet, profesionistet e intelektualet?

Emigracioni shqiptar nga perfundimi i luftes se dyte boterore e deri ne fillimvitet 90 ka qene i kufizuar kryesisht tek shqiptaret nga Kosova e Maqedonia. Sidomos gjate viteve 60-70 nevoja e vendeve te Europes se pasluftes per krah pune te pakualifikuar beri qe shume shqiptare nga zona kryesisht rurale te emigrojne ne vende si ato gjermanofolese, nordike e anglosaksone. Ky lloj emigrimi ne mase ne vende te caktuara e brenda nje kohe te shkurter sherbeu per te krijuar berthamat e komuniteve te medha shqiptare ne Europen perendimore. Keto komunitete ekzitojne akoma sot. Ato kane si baze perkatesine gjeografike lokale (fshat, krahine) e ate fisnore. Modeli i familjes se madhe patriarkale e konservative ka qene motorri kryesor i krijimit, ruajtjes e zhvillimit te ketyre lloj komuniteteve. Keto lloj komunitetesh, megjithe rolin pozitiv qe kane luajtur ne mbeshtetjen e ekonomive te vendeve te prejardhjes nuk kane qene te afta te thithin shume nga kultura e vendeve ku ata jetonin. Kjo erdhi jo vetem nga baza fisnore e patriarkale e krjimit te ketyre komuniteteve por dhe nga mungesat e theksuara te eksperiences e te politikave e strategjive integruese te vendeve pritese. Shume nga keto komunitete jane pothuaj krejtesisht te paintegruara, te ndara e te paorganizuara. Ne jo pak raste ato jane aq hermetike saqe zhvillimi
social i tyre ka qene me i ngadalte sesa zhvillimi i komuniteteve ne krahinen e tyre te prejardhjes. Nderkohe ne shume vende eshte akoma e paqarte se ne cfare drejtimi po zhvillohet sidomos brezi i ri i ketyre lloj komuniteteve. Zhvillimet e trazirave te fundvitit 2005 ne France dhe statistikat gjithnje e me shqetesuese ne Gjermani tregojne se edhe ky brez i ri vazhdon te jete i keqintegruar e me nje nivel shkollimi
me te ulet se normalja. Ky realitet duket se nuk kufizohet vetem ne France e Gjermani por eshte shtrire me kohe ne te gjithe vendet e Europes perendimore. Nga ky grup pra, te pakten ne te ardhmen e afert nuk mund te presim ndonje zhvillim proaktiv persa i perket krijimit te komuniteteve te profesionisteve.

Zhvillimet dramatike pergjate gjithe viteve 90, qofte ne Shqiperi ashtu dhe ne Kosove, bene qe baza sociale e emigracionit te shtrihet ne pothuaj te gjitha shtresat e shoqerise shqiptare (profesioniste intelektuale, studente etj.). duke filluar ne Shqiperi e Kosove dhe procesin e ashtuquajtur "largimi i mendjes". Ndersa grupet si profesionistet e intelektualet per shume arsye (emigrimi ne baze personale e jofisnore, shperndarja e parregullt gjeografike, mosha kur krijimi i kontakteve te reja sociale eshte me e veshtire, mungese e bazes ekonomike etj. ) nuk duket se kane qene te afte per te krijuar komunitete lokale te mirefillta ndermjet tyre akoma sot, tek studentet shohim nje dinamike krejt tjeter. Studentet jane grupi me interesant
persa i perket krijimit te komuniteteve. Ata jane te perqendruar ne qytete e deri universitete te caktuara e jane kryesisht ne nje moshe kur lidhjet sociale mund te krijohen me lehtesi. Pjesa me e madhe e tyre ka lidhje direkte me vendlindjen qofte nepermjet familjes qofte nepermjet shoqerise apo vajtje-ardhjeve te shpeshta ne vendlindje. Studentet jane dhe grupi qe thithin me shume nga te gjithe grupet e tjera nga kultura e vendi ku studiojne/jetojne. Ata kane energjine dhe kohen e duhur per te krijuar komunitete te gjalla dhe jane grupi qe kane pervetesuar me mire teknologjite e reja te komunikimit. Te gjithe keta faktore kane bere qe komunitetet studentore te jene aktualisht komunitetet shqiptare me te organizuara e aktive jashte. Gjithashtu
dhe ne pjesen me te madhe te atyre pak organizimeve jo-studentore (ish-)studentet duket se kane luajtur e luajne aktualisht nje rol kyc. Kjo megjithese ata jane vetem nje pjese e vogel e te gjithe shqiptareve qe mendohet te jene jashte. Se sa aktive jane komunitetet studentore bie gjithashtu ne sy dhe nga fakti qe ne raportin e
projektit te perbashket te shtetit shqiptar e te UNDP "brain gain" (emer shqip nuk ka) nder dy projektet e kaluara me te suksesshme te permendura per "rifitimin e mendjes" njeri eshte organizuar prej vete komuniteteve studentore jashte. Konkretisht njeri eshte programi i organizuar nga OSFA (Fondacioni Soros) e tjetri eshte nje program praktikash nga ALBSTUDENT, nje rrjet aktiv shoqatash e komunitetesh studentore jashte. Programi i ALBSTUDENT duket se eshte pershtatur pak e ka gjetur vend te rendesishem bile dhe ne strategjine e pergjithshme te projektit te UNDP.

Ne planin afatmesem e afatgjate studentet e sotem duket se jane i vetmi grup qe mund te krijojne ne te ardhmen komunitete te gjalla profesionistesh e intelektualesh shqiptare ne baze lokale e me gjere. Roli i ketyre komuniteteve dhe lidhjet e tyre me vendlindjen kane nje rendesi te vecante pasi ato kane nje potencial shume te madh ne procesin e "rifitimit te mendjes" nepermjet transferimit te teknologjise apo bashkepunimeve te ndryshme. Pervec kesaj komunitetet e krijuara nga (ish-)studentet mund te terheqin dhe pjesen pasive te intelektualeve jashte apo pjesen e arsimuar te gjenerates se dyte te komuniteteve te vjetra shqiptare te cilet mund te mos kene mundesine dhe energjine per te krijuar komunitete por mund ti bashkangjiten atyre ekzistuese duke dhene dhe ata kontributin e tyre te cmueshem.

Megjithate kalimi nga komunitete studentore ne komunitete profesionistesh nuk eshte i lehte apo i natyrshem dhe ka nevoje per mbeshtetje e subvencionim. Ne nje shoqeri gjithnje e me globale, ku kerkesa nga tregu per levizshmerine e individit sa vjen e rritet, qendrimi ne nje vend per nje kohe te gjate eshte gjithnje e me i pazakonte. Ky realitet i cili po imponohet dalengadale nga procesi i globalizimit mund te haset ne menyre te theksuar sidomos tek profesionistet (ata qe kane mbaruar shkolle te larte psh.) e ne grupmoshat e reja pa lidhje sociale e familjare aq te forta sa per tu lidhur me nje vend te caktuar. Studentet e te (sapo)diplomuarit shqiptare jashte jane pjese e te dyja ketyre grupeve. Nje pjese jo e vogel e tyre jane te prirur per te ndjekur kerkesat e tregut ne menyre te pakushtezuar e per te perseritur nje zhvendosje te dyte edhe mbas studimit. Ne keto kushte, krijimi apo vazhdimesia e komuniteteve lokale nga ana e studenteve eshte nje sfide e vertete, e cila megjithate ka mundesi te mira per tu perballur me sukses.

Nje menyre ndihme do te ishte krijimi i nje programi disavjecar mbeshtetje financiare per projektet e shoqatave e komuniteteve me aktive studentore jashte si nje investim per filizat e komuniteteve te ardhshme te profesionisteve. Ne pjesen me te madhe te rasteve disa qindra Euro ne vit mundesojne mbijetesen e nje komuniteti studentor. Thjesht per te dhene nje ide, nese llogarisim mbeshtetjen e 100 shoqatave apo komuniteteve studentore ne vit ne te gjithe boten shifra nuk shkon as rreth 100 mije Euro. Nese i shtojme kesaj shume dhe shpenzimet per infrastrukturen e ato administrative shuma mund te shkoje deri ne 150-200 mije Euro ne vit. Nje investim minimal ky nese kemi parasysh potencialin komunitetkrijues te studenteve e nese
kujtojme qe vetem per luften ne Irak shteti shqiptar shpenzon tashme prej vitesh disa miliona dollare ne muaj. Nje program i tille mbeshtetjeje te studenteve pervec mbijeteses se komuniteteve te tyre do ti jepte shtetit shqiptar dhe nje leve shume efikase per te shoqeruar, ndikuar e drejtuar drejtperdrejt zhvillimin e komuniteteve
studentore ne komunitete te mirefillta profesionistesh ne te ardhmen. Pavaresisht se nje mjet i tille, nese nuk ekziston nje mekanizem kontrolli, ne duart e shtetit historikisht shume te politizuar shqiptar nuk eshte pa rreziqe, kjo mbetet tani per tani nje nga menyrat me efikase per te ndihmuar ne krijimin e komuniteteve te qendrueshme te intelektualeve e profesionisteve shqiptare jashte.

Shume kohe per te humbur nuk ka. Sipas nje analize statistikore te ALBSTUDENT (Pyetesori Albstudent 2005-2006) rreth 65% e studenteve perfundojne studimet brenda 2 viteve te ardhshme. Pra procesi i shnderrimit te komuniteteve studentore ne komunitete profesionistesh e intelektualesh nese leme nje tolerance prej disa vitesh pritet te ndodhe kryesisht brenda pesevjecarit te ardhshem. Komunitet studentore po reagojne tashme. Mbetet qe dhe shteti te ndergjegjesohet e te percaktoje studentet si prioritet ne te gjitha iniciativat e tij te "rifitimit te mendjes". Jo vetem duke patur parasysh kthimin e tyre por edhe duke njohur potencialin e madh komunitetkrijues edhe te atyre qe zgjedhin te qendrojne jashte pas studimit.

Endri Deliu
Hamburg 28.01.2007

No comments: